Në popullin tonë ujku konsiderohet si egërsirë me atribute të mbinatyrshme. Vetë emri Ulqin - Ulkinion, qytet i rendesishëm në Mal të Zi me popullsi shqiptare, mendohet se ka origjinë totemike.
Ujku është një figurë sa e respektuar, aq edhe së cilës njerëzit i frikësoheshin, duke patur në këtë mënyrë një ndërthurrje mes frikës dhe respektit. Ujku quhej ndryshe edhe me emërtimet ‘bisha’ apo ‘i egri’.
Mendohej se ujku mund të hante apo rrëmbente deri në 99 dele. Nëse ai, do të tentonte të merrte delen e 100-të, ai do ngordhte.
Në legjendat mitike ujqërit janë nën mbrojtjen e Shën Martinit. Ky i fundit i ushqen me disa kokrra të jeshilta në madhësinë e një kokër dëllinje ose u cakton kafshët shtëpiake që kanë për të ngrënë. Ujku, sipas besimeve, shumë herë bie në bagëti e nuk merr asnjë se e ka gojën të mbyllur, ‘me dryn, sepse ia ka drynue Shën Martini’. Prej andej e ka rrjedhën dhe shprehja: ‘Pse s'flet, a ta ka mbyllë gojën Shën Mërtini?’, thënë për një që nuk flet kur duhet ose kur i kërkohet të flasë.
Ujku
Lëkura a dhëmbi i ujkut përdoret si hajmali për fëmijën, që mos të sëmuret e të mos dëmtohet nga shtrigat apo syri i keq. Dhëmbin e ujkut ia varim në ballë dhe kalit që të mos e zërë syri i keq. Besohej se vetëm ujku mund të detyronte lugatin të kthehej sërish në varr.
Ujku është i lidhur ngushtë me kumbarën dhe ndrikullën. Po t'i shajë a t'i bjerë dikush ndesh ndrikullës e kumbarës, bie ujku ndër bagëti si ndëshkim për mëkatin e bërë. Në këtë kontekst ujku konsiderohet "qeni i Shën Gjonit', pra i shenjtorit mbrojtës të kumbarisë.
Besohet në popull se ujku ka qenë qen. Gruaja u lodh duke ruajtur gjënë e gjallë në mal e u ul të pushojë e tha: "Tash jam lodhë e s'kam ç'ka të baj. Edhe në m'i marrtë gja dhent, nuk po kam derf'. E dëgjoi qeni këtë fjalë dhe kapi qengjin më të mirë dhe e hëngri. Qeni u bë ujk e mbeti në mal. Pra, deri atëhere nuk kishte ujqër dhe gruaja, me veprimet e saj të pamatura, u bë shkak në krijimin e ujkut në botë.