Rreth Nesh

Mitologjia Shqiptare


Mitologjia shqiptare është tepër e larmishme dhe në një pjesë të madhe të saj origjinale. Krijesat e kësaj mitologjie janë thuajse të gjitha pagane. Aty do të gjejmë nuset e malit dhe këshetat, por edhe shtojzavallet dhe zanat. Gjenden gjigantë të kobshëm si balozët, katallanët, por edhe përbindësha të shumtë si gogolët, kuçedrat, lugetërit apo lubitë. Metamorfozat janë të shpeshta: burri shndërrohet në dre, ujk, hut; gruaja në nuse lale, qyqe, turtulleshë. Flijohen kafshët mbi themelet e një ndërtese. Bëhen magjira, p.sh. për të mos lënë pasardhës, apo për të mos lindur djem, fakt tejet i rëndësishëm për familjen tradicionale shqiptare.

Objektet magjike – pasqyrat, unazat luajnë një rol të madh. I besohet syrit të keq, ëndrrave paralajmëruese dhe gjithashtu edhe fuqisë së gurëve, drurëve, bimëve. Njerëzit, sidomos në veri deri para pak vitesh vazhdonin të quheshin Uk, Dash, Shpend, Sokol: ata adhurojnë zjarrin (ta pështysh është tabu), betohen për Qiell e për Tokë, vajtonin të vdekurit e tyre duke gërvishtur fytyrën sipas një rituali që është trashëgimi e një valleje; u besonin orëve të vendit, shpirtrave, djajve, magjistareve, vampirëve.

Mitologjia shqiptare nuk ka zota, është pagane. Hyjnitë janë të dorës së dytë dhe nuk kanë emra të përvetshëm, ose emri i tyre është kolektiv. Betohet për qiell e për tokë, thërritet dielli e hëna. Por janë vetëm personifikime elementesh ose sendesh fizike, jo persona. Ndërmjet elementeve, toka është mbizotëruese. Beja më gur është solemne. Kush betohet mbi gurë do të ngurtësohet nëse e shkel betimin e tij. Zanat e kanë fuqinë e vështrimit që ngurtëson, e ngjashme me fuqinë e Meduzës. Mitologjia shqiptare është organizuar rreth bipolaritetit të së mirës dhe së keqes. Nga njëra anë ka një monster, kuçedra, mamadraga, e përfytyruar si një gjarpër me shtatë koka që than ujrat dhe helmon ajrin. Në anën tjetër ka një hero mitik që e përball në shpellën e tij dhe e mbyt. Në Jug, shpesh ky hero është fisnik (djali i mbretit), ndërsa në Veri ai është një bir i popullit i lindur dragua. Njeriu-dragua ka flatra nën krahë, ai mund të fluturojë.