Photo1

Zanat

Zanat konsideroheshin hyjnesha në trevat shqiptare. Ato mendohet të ishin krijesa mitike, shumë të bukura, që rrinë në thellësinë e pyjeve të dendur e të papërshkrueshëm nga njeriu. Në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë thuhej se çdo mal ka zanën e vet. Pyjet ku rrinin zanat ishin të shumtë, si Bjeshkët e Oroshit (Mirditë), Lugu i Errët, Cernica në Malësinë e Gjakovës, pyje në Tropojë, në Gurakuq të Tiranës, etj. Këto quheshin si të shenjta dhe besohej se as bagëtia nuk duhet të kalonte aty. Mendohet se zanat jetonin mes pyjeve dhe shpellave dhe e kalonin kohën duke u marrë me punët e zanave. Ato kishin fëmijë dhe i përkundin e lodronin me ta, por këta fëmijë mendohet të kenë ardhur në formë mitike, pa kontakte me burra. Ato e kalojnë kohën duke u larë nën dritën e hënës. Shpesh imagjinoheshin si tre zana bashkë, por mund të ndeshim nëpër rrëfime edhe dy ose një zanë të vetme. Zana shoqërohej nga tre dhi të egra, të cilat kishin qime të arta dhe brirë floriri. Zana besohet të jetë jashtëzakonisht e guximshme, një kundërshtare e frikshme, me aftësi të mbinatyrshme, e cila mund t'u japë mbrojtjen e saj luftëtarëve. Besohej se zana kishte fuqinë për të ngurtësuar njerëzit me një shikim.

Tre zanat me heroin Muj të cilit i dhanë fuqi të mbinatyrshme

Zana simbolizon energjinë jetësore të qenieve njerëzore, energjinë femërore, bukurinë e egër, rininë e përjetshme dhe gëzimin e natyrës. Zanat shfaqen si nimfa luftarake të afta për t'u ofruar njerëzve të thjeshtë një pjesë të fuqisë së tyre psikofizike dhe hyjnore.

Sipas legjendës me Mujin dhe Halilin, mendohet se ato i dhanë qumësht prej gjirit të tyre dhe ai u bë i fuqishëm. Ose i përgatitën një përzjerje sekrete me barërat e pyllit dhe ai rifitonte fuqi. Por mendohet edhe se çdo njeri ka Zanën e tij mbrojtëse, si ëngjëlli mbrojtës që na paraqesin besimet monoteiste. E nëse dikujt i ndodh një fatkeqësi thonë: I ka vdek Zana.

Nje zanë duke ecur me një dhi të egër Por Zanat mund të tregohen hakmarrëse ndaj atyre që dëmtojnë dhe shkatërrojnë vendet ku ato qëndrojnë. Ato mund të dashurohen me njerëz, por janë jashtëzakonisht xheloze dhe kur partneri dëshiron të martohet me një vajzë tjetër ato jane në gjëndje edhe ta vrasin atë. Zanat nuk duhen përmendur shpesh, sepse është mëkat i rëndë. Në tokat e banuara me shqiptarë ka disa vende me emërtime që lidhen me zanat, shkëmbinj dhe shpella, ku mendohet se ato qëndrojnë, si Shkambi i Zanave (Nikaj-Mërtur), Shpella e Shkambit të Kuq (Kelmend), Mrizi i Zanave (Temal, Pult), Logu i Zanave (Isniq, Pejë), Përroi i Zërës (Vuno, Himarë), Shpella e Zërës (Paramithi, Çamëri).