Tre Fatet përfytyrohen si tre gra që vijnë natën e tretë te djepi i të porsalindurit dhe i caktojnë atij fatin e jetës. Ato jane motra. Motra e parë thurr fijen e jetës së fëmijës së porsalindur. Motra e dytë e mat fijen e jetës, ndërsa motra e tretë, që është më e serta e pret fijen e jetës, duke vendosur kështu se sa do të jetojë fëmija i lindur.
Duke qënë se njerëzit besonin se ditën e tretë të lindjes së fëmijës do të vinin Fatet, ata linin derën e shtëpisë të hapur dhe i lidhnin qentë. Për t’i respektuar, ata linin në tavolinë një kupe me mjaltë, tre bajame dhe tre copa buke.
Tre Fatet në ditën e tretë të lindjes së fëmijës. Pikture e vitit 1889 e Johannes Gehrts
Çdo fatkeqësi që i ndodh njeriut besohet që është prej vendimit të Fateve, ndaj njerëzit ngushëllohen duke thënë: kështu e shkruan Fatet.
Fatet njihen edhe me emra të tjerë si Vitore, Mira, Mirushe, Orë, Fata, Fëtresha, Fatmira, Fatëza, Fatzi, Fatie, Fatia.
Ne jug të Shqipërisë Tre Fatet njihen edhe me emrin Të Mirat. Pak më ndryshe se në veri, në jug Të Mirat janë figura vetëm pozitive. Bekimet e tyre gjithnje plotësohen. Të mirat mund të vijnë në krahët e fluturave dhe të hyjnë edhe në ëndërrat e njerëzve duke i ndihmuar ata. Për këtë arsye shumë njerëz i kërkonin herë pas here ndihmë të Mirave. Tre Fatet njihen edhe ne mitologjitë e popujve te tjere si Moiraet te grekët apo Parcaet te romakët. Në mitologjinë norvegjeze ato quhen Nornët, tre motrat Urd, Verdandi dhe Skuld që luajnë rol të ngjashëm, duke rrotulluar fatin e perëndive dhe njerëzve.