SHTRIGA
Shtrigë në Shqipëri konsiderohej një grua e moshuar që shpesh ishte e pafajshme, por jeta e kishte bërë fatkeqe. Ajo mund të ishte për shembull një vejushë, një grua që nuk kishte lindur djem apo që jetonte e vetmuar. Kur një grua thinjej që në moshën njëzetë vjeç, kjo ishte shenjë e sigurt se kishin të bënin me një shtrigë.
Shtrigat përfytyroheshin si krijesa që dilnin natën dhe cilësitë e tyre ishin të lindura. Përfytyroheshin si qënie qe hanin mish e gjak njeriu dhe ushqimi i tyre i preferuar ishte zemra e fëmijëve. Në shtëpitë e tyre rritej bar i zi, që mund të vihej në një poçe te dera e shtëpisë së tyre dhe me këtë bar ato lyenin trupin përpara se të flinin. Për shtrigat flitej gjithmonë në formë misterioze dhe besohej se ato dinin shumë gjëra. Ato përgatisnin ilaçe ose bënin magji për të lehtësuar punën dhe për t’i bërë me fëmijë ato që nuk lindnin.
Shtrigat. Pikture grafike e piktorit Igli Hoxha.
Ndërsa shtrigat i merrte gjumi, shpirti i tyre dilte nga trupi prej gojës dhe dilnin përjashta nga vrimat e derës e çatisë. Më pas mblidheshin në logun e shtrigave dhe vendosnin se cilin person do të hanin. E pastaj fluturonin për të marrë zemrën e personave të zgjedhur, i piqnin në zjarr dhe i hanin. Në raste të veçanta ato pinin vetëm gjakun e fëmijëve dhe fëmija gjendej të nesërmen i vdekur. Këto besime jane krijuar kryesisht nga njerëzit të cilëve ju kishte ndodhur fatkeqësi dhe nuk vizitoheshin nga mjekë. Në këtë mënyrë ata justifikonin vdekjen e foshnjave.
Shtriga mund të hynte në një shtëpi në formën e një insekti dhe të pinte gjak. Gratë suleshin të vrisnin fluturat posa hynte ndonjë në kasolle dhe thonin se ato nuk sillnin kurrë gjë të mire. Shtrigat mund të vinin edhe nëpërmjet lëvozhgave të vezëve kur ato haheshin në datat 1 dhe 2 mars. Për këtë arsye, gratë i thërrmonin krejtësisht lëvozhgat e vezëve, duke thënë se kështu ishte më mirë, pa shpjeguar më shumë. Prania e shtrigës nuk shoqërohej me pamje të qarta. Askush nuk thoshte se e kishte parë me sytë e vet në atë çast. Shtriga ndjehej. Ajri bëhej më i rëndë, si të kishte humbur lëvizjen. Heshtja bëhej e pazakontë, njerëzit mund të ndjenin një të ftohtë që të dridhte trupin, ndërsa gjumi ishte jo çlodhje, por një gjendje e pasigurt.
Fëmijët mund të mbroheshin nga shtrigat dhe nga syri i keq duke u ngjyer me pika të zeza në ballë ose duke u varur hajmali lëkure në qafë. Në hajmali shkruheshin fraza nga Dhiata e Re ose Kurani. Shtrigat i mbante larg edhe hudhra, e cila gjithashtu u varej fëmijëve në qafë.
Nëse trupi i shtrigës levizte gjatë gjumit dhe kthehej mbrapsht (psh. koka nga këmbët dhe këmbët nga koka) ndërkohë që shpirti kishte dale nëpër natë, shpirti nuk e gjente dot gojën dhe gruaja vdiste.
Sipas studiuesit Johann Georg von Hahn, shqiptarët besonin se gratë dhe burrat mbi 100 vjeç ishin në gjendje të vrisnin njerëzit vetëm me frymën e tyre. Prandaj, pleqtë që dihej se ishin shtriga dhe shtriganë dënoheshin duke i djegur në turrën e druve ose duke i vrarë me gurë. Si provë për një shtrigë ishte ta lidhje atë dhe ta hidhje në ujë. Në qoftë se ajo qëndronte mbi ujë, ishte shtrigë.
Në fillimin e shek.XX në fshatin Kastrat, pranë Shkodrës, njerëzit kanë mbytur një plakë duke e pjekur midis dy zjarreve, duke e akuzuar se ishte shtrigë dhe se kishte mbytur shumë njerëz në fshat. Edhe shkrimtari F. Barkata në romanin e tij ‘Lule’ përshkruan një skenë të mbytjes së një plake që banonte e vetmuar në godinën e një mulliri rrënojë në Rubik.