Lugati është një figurë që lidhet ngushtë me errësirën, natën, frikën dhe forcat e këqija. Në folklorin shqiptar, lugati nuk është thjesht fantazmë, por një qenie aktive, e aftë të dëmtojë njerëzit, kafshët dhe mjedisin përreth. Ai mund të shkaktojë sëmundje, fatkeqësi, çmenduri ose vdekje.
Lugati mund të merrte forma të ndryshme. Në disa tregime ai shfaqej si njeri me pamje të frikshme, i zbehtë, me thonj të gjatë si të të vdekurve, me sy të zgurdulluar, trup të ftohtë dhe që bërtiste me zë të tmerrshëm. Në raste të tjera, lugati mund të shndërrohej në qen të zi, hije ose mjegull. Kur ecte gjatë natës, ai dukej në formën e një flake të verdhë ose drite të çuditshme.
Pas vdekjes se një njeriu, sidomos të keq, shpesh ekzistonte frika se ai do të ngrihej lugat. Në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, të vdekurit i vihej pranë varrit drapër, lopatë ose ndonjë hekur tjetër, sepse besohej se hekuri i mbante larg të gjithë shpirtërat. Hekuri mbahej aty derisa trupi i të vdekurit të kalbej përfundimisht, me qëllim që djalli të mos i shkonte rrotull dhe ta merrte të vdekurin.
Në Kosovë shkonin dhe e ruanin varrin e të vdekurit për tre netë rresht, sepse mendohej se gjatë këtyre tri netëve të para pas vdekjes do të vinte djalli: natën e parë i veshur me petka të bardha, të dytën me të kuqe dhe të tretën me të verdha. Në Korçë, të vdekurin nuk e linin natën vetëm, sepse kishin frikë se po ta kapërcente një mace, ai do të ngrihej si lugat. Mendohej se lugati mund të ringjallej pas shtatë ditësh, të shkonte natën në shtëpinë e tij dhe të hante pak miell. Po të ishte grua, merrte ushqime, plaçkiste ç’të gjente dhe i fuste në varrin e saj.
Ardhja e Lugatit në shtëpi mund të kuptohej nga lehjet e qenve, që zinin kuisnin. Në këtë kohë dilte zakonisht një njeri nga shtëpia dhe pyeste: "Kush je?" Lugati thoshte emrin e tij dhe i lutej që t’ia falnin fajet që kishte bërë kur ishte gjallë. Deri sa njeriu i shtëpisë t’ia falte fajet, lugati vinte gjithnjë natën dhe shqetësonte njerëzit duke u ankuar.
Dëshmitë e mesjetës te shekullit te XVII-të na thonë se kur njerëzit e kuptonin që njeriu ishte ngritur nga toka si lugat, shkonin e i hapnin varrin, nxirrnin kufomën e tij e ia digjnin për të mos e lejuar të bënte më ligësi.
Në Shqipëri ka edhe disa vende që lidhen me emrin e lugatit, Arën e Lugatit në Kosovë apo fshati Sylugat në Elbasan, i cili përmendet në shekullin e XV.
Pikture grafike e piktorit Igli Hoxha