Në përfytyrimet popullore Kuçedra paraqitet përmes dy formave, si gjarpër, reptil i stërmadh, por edhe me pamjen e breshkës, bretkocës, hardhucës, gjithnjë gjigande. Përfytyrohej se banonte në vende me ujë, shpella, këneta, liqene nëntokësore ose mbitokësore, në det dhe komunikonte me botën e jashtme nëpërmjet burimeve dhe vrimave nga dilte uji prej malit.
Mendohej se një gjarpër apo bollë mund të shndërrohej në kuçedër nëqoftëse nuk e shikonte asnjë njeri për shumë vite dhe pas kësaj periudhe prekte në ujë.
Besohej se Kuçedra ishte shumë e madhe, e kishte kokën në majë të malit dhe bishtin në det, në liqen ose në ndonjë lumë aty afër. Kemi shprehjen Kryet e Kuçedrës në majë të malit të Munellës dhe bishti në det.
Kuçedrat u ndalonin njerëzve ujin e burimeve dhe të liqeneve, shkaktonin thatësirë dhe dëmtonin bereqetet e bagëtitë. Për t'u lëshuar ujin e banorëve të maleve dhe fushave, Kuçedra kërkonte t'i jepej në këmbim një njeri, zakonisht vajzë fshati, ose t’i jepej bagëti. Ajo jetonte me bollëkun e fshatit dhe rritej e majmej aq shumë sa lëvizte me vështirësi. Duke u zvarritur nëpër gurë dhe shkëmbinj, i gërvishtej lëkura dhe i rridhte gjak. Kur prej burimeve apo përrenjve dilte ujë i ndotur, thonin se është ‘gjak kuçedre’.
Kuçedra. Pikture grafike e piktorit Igli Hoxha
Kuçedër quhej edhe një grua e vjetër dhe shtatmadhe. Të qenët Kuçedër mbahej e fshehtë. Kuçedra, gjithnjë femër, shkaktonte furtuna e breshër që prishnin bereqetet, shembnin vendin, shkaktonin dridhje toke dhe përmbytje.
Kuçedra grua lind e tillë, në një familje ku të parët e saj nga ana e nënës kishin shkelur kurorën martesore. Ajo përfytyrohej me gjinj shumë të mëdhenj, që i vareshin deri poshtë. Për të mos u penguar në veprimet e saj, ajo i hidhte gjinjtë mbi supe e ato i vareshin prapa, në kurriz. Kuçedra grua fluturonte sa në një vend në një tjetër, me flokë të gjatë e të shprishur. Në kohë furtunash ndaloheshin gratë të dilnin jashtë shtëpisë, se besohej se ato mund të bëheshin ndihmëse të Kuçedrave.
Kuçedra njihet në disa zona të veriut të Shqipërisë edhe me emrin Bushtra. Bushtra përfytyrohej si një përbindësh nga lloji i kuçedrave, që kokën e ka në majë të malit Cukal, trupin nën dhe, ndërsa bishtin në breg të lumit Drin. Thuhet se kur vritej, nxirrte zjarr nga maja e Cukalit, vetëtimë, rrufe e bubullimë aq sa që dridhej i tërë vendi. Përgjithësisht përfytyrohej si një qënie femërore mizore dhe e keqe, me trup jashtëzakonisht të madh, vetëm një flegër e saj mund të peshonte 12 kilogram. Në disa krahina të tjera ajo përfytyrohej si kuçedër që vjell zjarr e rrufe.
Gjithmonë në luftë me Kuçedrën ka qënë Dragoi, i cili është përpjekur që ta vrasë atë për të ndihmuar njerëzit. Dragoi është figurë pozitive, në oponencë me Kuçedrën, e cila simbolizon të keqen. Mendohej se njerëzit ose gjallesat që kishin lindur si Dragonj kishin forcë të mbinatyrshme dhe se kishin lindur për qëllime të caktuara, për beteja të mëdha.
Njeriu-dragua lind i veshur me këmishë ose me fletë apo krahë te sqetullat. Lindja me këmishë është konsideruar në Shqipëri gjithnjë si fat i madh dhe lumturi. Këmisha në lindje ishte cilësi e njeriut të mbinatyrshëm. Ajo i hiqej foshnjës pa folur, merrej dhe lahej. Më pas i jepej nënës së foshnjës, e cila e merrte dhe e ruante në fund të arkës. Fëmija i lindur me këmishë është konsideruar gjithnjë jo si të tjerët, i veçantë, me cilësi të mbinatyrshme.
Për të mundur Kuçedrën, Dragoi përdorte drunjtë e pyllit, gurët e mëdhenj, gurët me vrimë, sidomos gurët e mullirit, përdorte topuzin, heshtën, shigjetën, por mbi të gjitha rrufenë, parmendën, djepin e fëmijës apo një mur të tërë shtëpie. Bujqit e maleve e kishin zakon të linin parmendën jashtë shtëpisë, të varur nën strehë, me qëllim që Dragoi ta kishte të lehtë ta merrte për ta përdorur në punët e tij.
Dragoi fluturonte nga një mal në një tjetër, shpesh mbi kalin e tij ose dhe pa kalë. Aty ku binte në tokë, linte gjurmët e këmbëve të tij ose të kalit. Kur dragoi ecte, dridhej toka, rrukulliseshin gurë, binin gjethet nga pemët dhe dukej sikur bubullinte. Dragonjtë luftonin shpesh vetëm, por ndonjëherë edhe dy, tre, shtatë a më shumë, së bashku.
Dragoi duhet ta godiste patjetër Kuçedrën në kokën kryesore e pastaj në të dytën kokë, në të tretën e deri sa t'ia preste të tëra kokët, përndryshe ajo nuk mundej, nuk ngordhte. Po të mos i goditeshin të tëra kokët, ajo bëhet më e fortë, më e tmerrshme e më dëmprurëse. Pasi t’i priteshin kokët, Kuçedra duhet të mbytej edhe në ujë, përndryshe ngjallej përsëri. Në mitet popullore, kur tregohej për vrasjen e Kuçedrës, thuhej se ajo mbytej në det, në lumin Drin ose në ndonjë pus dhe se për tre vjet e qelbte të gjithë vendin përreth.
Krijesa të tjera mitologjike të ngjashme me kuçedrën
Lubia Lubia eshte ne mitologjine shqiptare nje përbindësh shumë i ngjashëm me kuçedrën, qe haset si figure në zonat si te veriut ashtu edhe të jugut. Ashtu si kuçedra, lubia përfytyrohet si një gjarpër gjigand me bisht të gjatë. Ajo ka shumë kokë, nga shtate deri ne njeqind të tilla dhe nëse i pritet një kokë, në vend të saj i dalin kokë të tjera, më tepër. Njihet si demon i lig dhe thirret edhe me emrin mëmë-lubi, duke u perceptuar si krijesë që pjell përbindësha të tjerë. Nuk është një figurë mitologjike që haset vetëm në Shqipëri. Kemi figura të ngjashme mitologjike në viset sllave të njohur me emrin lubirash.
Lubia mund të thajë burimet e vendit dhe t’i mbajë të thata derisa fshati t’i japë një virgjëreshë. Në viset e jugut lubia mendohet se ka uri të madhe dhe ha mish fëmijësh, sidomos të vajzave të vogla. Në këtë kontekst, një njeri që ha shumë dhe ka oreks gjithnjë, pra një grykës, thirret me emrin lubi.
Në një tregim folklorik, lubia paraqitet si personazhi që mban peng kopshtin me fruta të qytetit. Princi shkon të marrë frut për mbretin dhe që ta qetësojë lubinë, i jep mjaltë dhe sheqer, duke fituar kështu miqësinë e saj.
Llamja Llamja është një krijesë mitologjike që haset që haset në Shqipërinë jugore. Ajo përfytyrohet si një gjarpër me trup femre dhe me bisht gjarpri. Ruan burimet e ujit, duke pirë një pjesë të madhe të tij. Llamja rrëmben fëmijë dhe i përpin ata në një çast. Edhe Llamja nuk është një figurë folklorike vetëm e shqiptarëve. Mendohet se është një version i përbindëshit grek Lamia, princeshë në Libi, e cila më pas u kthye në një monstër të tmerrshme që hante çdo fëmijë që kapte, duke u hakmarrë në këtë mënyrë për humbjen e fëmijëve të saj, të cilët i kishte marrë perëndesha greke Hera.