Photo1

Divi

Divi mendohej të ishte një përbindësh i madh dhe tepër i fuqishëm. Ai kishte fuqi të mbinatyrshme dhe ushqehej me mish njeriu. Divi kishte mustaqe të gjata dhe lëkurë të pisët, të mbushur me pleshta. Ishte në përgjithësi figurë negative, tip demoni.

Divi mbante të burgosur në shpellën e tij vajza të virgjëra. Shpella mendohej të ishte gjithnjë nën tokë dhe hasim shpesh shprehjen ‘shpella e divit’.

Divi. Pikture grafike e piktorit Igli Hoxha

Divi kishte dëshirë të luftonte dhe për këtë i ftonte në duel të tjerët. Në përgjithësi divi fitonte dhe i hante viktimat e tij. Megjithatë, divi ishte disi i ngadaltë dhe ka patur raste kur trima të mençur e kane mundur atë. Kur divi goditej me shpatë, i plagosur ashtu si ishte, e ftonte kundërshtarin ta godiste përsëri. Por, trimat e zgjuar nuk duhet ta godisnin sërish dhe duhet ti thonin ‘Burri godet me shpatë vetëm një herë’. Në këtë moment, divi do të shkatërrohej dhe do të vdiste.

Në Elbasan ka disa ujëra termale të ngrohtë (llixha) dhe në këtë zonë besohej se divët kishin për detyrë të ngrohnin këto ujëra termale që vinin nga thellësia e tokës.

Termi Div përdoret herë pas here edhe në konotacion pozitiv, për shkak se divi ishte i madh dhe i fortë. Thuhet shpesh ‘i fortë si div’ apo ‘i madh si një div’.