Shqiptarët si në lashtësi e ende sot tregojnë një nderim të veçantë për bletën. Mendohej se më parë bleta ka qenë njeri. Ajo quhet e bekuar dhe se për të nuk thuhej ngordhi, por vdiq. Po ashtu, Bleta nuk mallkohet kurrë se besohet se po ndodhi kjo, mund të vinin pasoja të rënda.
Përpara se njerëzit të shkonin te kosheret e bletëve, pastroheshin dhe laheshin, ndryshe mendohej se bleta të largonte, nuk të jepte mjaltin, të thumbonte, por edhe mund të ‘vdiste’.
Bleta. Pikture grafike e piktorit Igli Hoxha.
Shqiptarët kanë rritur bletë që në kohët e lashta, në kohën e ilirëve dhe kanë patur marrëdhënie të veçantë me to. Bleta shfaqet në mozaikë dhe ornamente me funksion mbrojtës dhe dekorues në veshje dhe në objekte të tjera. Mjalti i bletëve ka qenë i pranishëm në ritet më të rëndësishme të jetës së njeriut, gjatë lindjes, martesës dhe vdekjes. Kur lindte një fëmijë, atij i jepej mjaltë për t’i bërë urimin e mirëdashjes, duke i uruar një shëndet të mirë dhe në veçanti për të larguar demonët. Për çiftin e ri të sapomartuar, natën e dasmës, bëheshin petulla dhëndrri me mjaltë. Nga këta petulla hanin vetëm nusja me dhëndrin dhe askush tjetër.
Në zonën e Tetovës ka qenë zakon që vajzat të mblidhnin lule të verdha dhe të zbukuronin me to kosheret e bletëve. Ndërkohe në festën e Ditës së Verës, festë pagane, silleshin nga lumi guralecë të bardhë me një tenxhere bakri dhe çdo koshere blete rrethohej me keto gurë. Mendohej se në guralecët e bardhë të lumenjve ishin të vendosur shpirtërat e të vdekurve dhe se këto guralecë kishin veti të veçanta magjike.